Kosovë

Ambasadori britanik: Rugova, arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka marrë pjesë në homazhet për ish-Presidentin Ibrahim Rugova në përvjetorin e 20-të të vdekjes së tij, duke e lavdëruar si vizionar dhe arkitekt paqësor të pavarësisë së Kosovës.

Nga Admin User
Ambasadori britanik: Rugova, arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kolegë nga trupi diplomatik, Hargreaves ka vendosur kurora lulesh te varri i liderit historik në Velani të Prishtinës.

Në një postim në Facebook, ambasadori britanik e ka kujtuar Rugovën si një udhëheqës të shquar dhe vizionar që udhëhoqi popullin kosovar nëpër kohë të vështira.

Sot, iu bashkova Presidentes Vjosa Osmani dhe kolegëve diplomatikë në përkujtimin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, duke nderuar trashëgiminë e tij të qëndrueshme si një udhëheqës dhe burrë shteti i shquar. E kujtuam atë si Presidentin e parë të Kosovës dhe një vizionar të vërtetë që udhëhoqi vendin dhe popullin e tij nëpër kohë sfiduese. Ai konsiderohet gjerësisht si arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës, të cilën Mbretëria e Bashkuar është shumë krenare që e ka mbështetur.

Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në KosovëFacebook

Ky homazh vjen në kuadër të shënimit të përvjetorit të 20-të të ndarjes nga jeta të Presidentit historik, i cili njihet si themeluesi i shtetit të Kosovës përmes politikës së rezistencës paqësore.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga aleatët kryesorë të Kosovës gjatë luftës dhe procesit të pavarësisë, duke luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje të komunitetit ndërkombëtar.

/Indeksonline/

Kthuni në Faqen e Parë