Ambasadori suedez bën thirrje për formim të shpejtë të qeverisë: Marrëveshjet me Serbinë duhet të zbatohen
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, thekson urgjencën për formimin e një qeverie të qëndrueshme pas zgjedhjeve, duke nxjerrë në pah nevojën për miratimin e buxhetit, kreditë nga Banka Botërore dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

Ambasadori suedez bën thirrje për formim të shpejtë të qeverisë: Marrëveshjet me Serbinë duhet të zbatohen
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar nevojën urgjente për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të zgjidhen çështjet e pazgjidhura si punësimi, pensionet dhe mirëqenia sociale.
"Për këto arsye, besoj se viti 2026 do të jetë një vit i mirë", ka deklaruar Westerlund në një intervistë për Ekonomia Online.
“Nëse flasim për situatën parlamentare, mund të argumentohet se vrulli është humbur prej kohësh. Por le të fokusohemi te viti 2026-të. Zgjedhjet janë mbajtur, së shpejti do të kemi një qeveri të re dhe ka shumë çështje që duhen zgjidhur, veçanërisht sa i përket vendeve të punës, pensioneve dhe mirëqenies sociale.”
Ambasadori suedez ka përmendur miratimin e buxhetit dhe kreditë nga Banka Botërore, si dhe vazhdueshmërinë e dialogut Kosovë-Serbi.
"Duhet të miratohet buxheti, duhet të miratohen një sërë kredish nga Banka Botërore. Duhet të ecim përpara sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë", ka theksuar ai.
“Kemi mbi 90 marrëveshje, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksin e Ohrit. Këto marrëveshje duhet të zbatohen.”
Westerlund ka shprehur optimizëm për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe dialogun e normalizimit me Serbinë, i cili ka vazhduar që nga viti 2011.
"Mendoj se e ardhmja e Kosovës është shumë e ndritshme, si në aspektin e punësimit dhe zhvillimit të kompanive, ashtu edhe në lidhje me dialogun e normalizimit", ka përfunduar ambasadori suedez.


