Ardian Gjini mbështet marshin qytetar për drejtësi të paanshme për ish-krerët e UÇK-së më 17 shkurt
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetje të plotë për iniciativën qytetare të platformës 'Liria ka Emër' dhe marshin 'Drejtësi, jo politikë' që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ardian Gjini mbështet iniciativën qytetare për marshin në Prishtinë
Përfaqësuesja e platformës "Liria ka Emër", Eliza Hoxha, ka zhvilluar një vizitë në Komunën e Gjakovës ku është pritur nga kryetari Ardian Gjini. Gjatë takimit, Hoxha e informoi Gjinin për fushatën e mobilizimit qytetar për marshin "Drejtësi, jo politikë", i planifikuar për 17 shkurt në Prishtinë.

“Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg çdo ndikimi politik. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje e drejtë qytetare dhe i ftoj qytetarët e Gjakovës, por edhe të gjithë Kosovën, që më 17 shkurt të jenë pjesë e këtij marshimi paqësor për drejtësi të vërtetë.”
Gjini theksoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur nga politika dhe bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë në këtë event në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe ish-krerëve të UÇK-së.
“Kur mbështetja për drejtësi vjen nga qytetet me histori të madhe sakrifice si Gjakova, kjo kauzë merr edhe më shumë peshë. Më 17 shkurt, marshojmë bashkë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të politizuar.”
Platforma 'Liria ka Emër' po vazhdon takimet në të gjitha komunat e Kosovës për të mobilizuar sa më shumë qytetarë për këtë marsh të rëndësishëm, nën moton 'Drejtësi, jo politikë!'.
Kjo iniciativë vjen në kontekstin e proceseve gjyqësore në Hagë kundër ish-udheheqësve të UÇK-së, ku qytetarët kërkojnë drejtësi të paanshme pa ndikim politik.