Armatimi i FSK-së me sisteme raketore OMTAS nga Turqia: Njohësit e sigurisë e quajnë hap drejt NATO-s
Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të forcojë kapacitetet ushtarake me ardhjen e sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia. Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë zhvillim si kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon me ritme të shpejta rritjen e kapaciteteve ushtarake të saj. Më e fundit ka mbërritur një dërgesë e re me sisteme raketore anti-tank OMTAS nga Turqia, e cila po shihet si një zhvillim i rëndësishëm nga njohësit e sigurisë.

Gjatë vitit të kaluar, FSK u furnizua me automjete të blinduara dhe dronë pa pilotë, ndërsa për këtë vit priten blerje të tjera strategjike. Ky armatim i ri rrit fleksibilitetin operacional dhe kapacitetet mbrojtëse të forcave të Kosovës.
Njohësit e sigurisë theksojnë se ky zhvillim nuk përbën kërcënim për askënd, siç pretendon Serbia, por kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ai lidhet drejtpërdrejt me fazën e tranzicionit të FSK-së dhe përpjekjet për anëtarësim në NATO.
“"Ajo po shkon konform planit zhvillimor në fazën e tretë dhe e ka tejkaluar kuptimin e dinamikës edhe të ngritjes së kapaciteteve edhe të investimeve në armatim, trajnime e infrastrukturë. Diametralisht është e kundërta me tendencat e Serbisë për të krijuar pasiguri përmes kërcënimeve hibride ndaj Kosovës. FSK ka tendenca që pas fazës së tranzicionit..."”
“"Po plotësojnë kapacitetet e sigurisë për veprim të plotë deri në vitin 2028 ku është edhe qëllimi i RKS dhe Forcës që të anëtarësohet në NATO dhe të përfundojnë problemet në aspektin e sigurisë për RKS një herë e përgjithmonë..."”
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se priten blerje të tjera strategjike, kryesisht në fushën e mbrojtjes ajrore, nga vendet anëtare të NATO-s. Kjo reflekton përpjekjet e Kosovës për të përmbushur standardet e Aleancës Veriatlantike.
“"Tanimë kemi kaluar në një stad tjetër me blerje që do të jenë kryesisht strategjike ku përfshihet mbrojtja ajrore"”
Ky proces armatimi shihet si pjesë e planit zhvillimor të FSK-së, duke e përforcuar rolin e saj në mbrojtjen e vendit dhe kontributin në paqen rajonale.