AUV heq kufizimet për importin e kafshëve nga Maqedonia e Veriut pas zhdukjes së sëmundjes 'Gjuha e Kaltër'
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar heqjen e kufizimeve për importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Maqedonia e Veriut, pasi sëmundja 'Gjuha e Kaltër' nuk është më e pranishme sipas raporteve ndërkombëtare.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, bazuar në raportet zyrtare të sistemeve ndërkombëtare ADIS dhe WAHIS, sëmundja “Gjuha e Kaltër” nuk është më e pranishme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, tani lejohet importi i kafshëve të gjalla të llojeve gjedhë, dele dhe dhi, si dhe i produkteve, nënprodukteve të tyre dhe materialit gjenetik, nga i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, siç njofton AUV.
Agjencia do të vazhdojë me monitorimin e situatës shëndetësore veterinare dhe informimin e rregullt të publikut, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në vend.