Bad Bunny paditet për 14 milionë euro për përdorimin e zërit të një gruaje pa leje në dy këngë
Një grua nga Porto Riko ka paditur këngëtarin Bad Bunny, duke kërkuar 14 milionë euro dëmshpërblim për përdorimin pa leje të zërit të saj në hitet "Solo de mi" dhe "EeO".
Padia prej 14 milionë eurosh kundrejt Bad Bunny-t
Ylli i muzikës urbane, Bad Bunny, ndodhet në qendër të një stuhie ligjore pasi një grua nga Porto Riko ka ngritur një padi kundër tij. Ajo kërkon dëmshpërblim prej 16 milionë dollarësh (rreth 14 milionë euro) për atë që ajo e quan përdorim të paautorizuar të zërit të saj në dy nga projektet më të mëdha të këngëtarit.
Sipas padisë, regjistrimi i zërit daton që nga viti 2018. Paditësja sqaron se ajo kishte pranuar të regjistronte një frazë të thjeshtë me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, të cilin e njihte nga një kurs studimi. Megjithatë, ajo thekson se regjistrimi u bë në kushte plotësisht jo-profesionale dhe pa asnjë paralajmërim se zëri i saj do të shndërrohej në një element kyç të këngëve që do të dëgjoheshin në të gjithë botën.
Nga "Solo de mi" te projektet e fundit
Zëri i gruas u dëgjua për herë të parë në hitin “Solo de mi”, pjesë e albumit debutues "X100pre" që korri suksese globale në vitin 2018. Por çështja nuk përfundoi aty. Një fragment i ngjashëm audio u ripërdor vite më vonë në këngën “EeO”, e cila u publikua në vitin 2025 si pjesë e albumit "Debi tirar mss fotos".
Paditësja argumenton se këngët kanë gjeneruar miliona dëgjime dhe fitime kolosale për Bad Bunny-n dhe ekipin e tij, ndërkohë që ajo nuk ka nënshkruar kurrë një kontratë, nuk ka dhënë pëlqimin për përdorim komercial dhe nuk ka marrë asnjë lloj pagese. Ajo e konsideron këtë si një shkelje flagrante të të drejtave të personalitetit dhe pronësisë intelektuale.