“Rryma nuk është luks”, banorët e fshatit Koliq protestojnë për ndërprerjet e energjisë dhe kërkojnë ndërhyrje nga KEDS-i
“Rryma nuk është luks” – Banorët e Koliqit protestojnë kundër ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke theksuar dëmet në amvisëri, shkolla dhe biznese, dhe kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës nga KEDS.

“Rryma nuk është luks”, banorët e fshatit Koliq protestojnë për ndërprerjet e energjisë dhe kërkojnë ndërhyrje nga KEDS-i
Banorët e fshatit Koliq në Gollak kanë protestuar pranë trafos së fshatit kundër ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit me energji elektrike, problem ky që zgjat prej vitesh dhe po shkakton dëme të mëdha në jetën e tyre të përditshme.

Këto ndërprerje po ndikojnë negativisht në amvisëri, biznese dhe shkollën lokale, ku procesi mësimor ndërpritet shpesh për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje me pelet.
“Kjo protestë vjen për arsye se disa herë kemi bërë kërkesa te KEDS-i, por nuk kemi marrë përgjigje. Problemi prek të gjithë Gollakun.”
Kryetari i fshatit, Bedri Hajzeri, shpjegoi se kërkesat e përsëritura te KEDS nuk kanë dhënë rezultat. Ai përmendi mungesën e kapacitetit të rrjetit elektrik për shkak të zhvillimit të fshatit me shtëpi dhe vila të reja.
“Rryma ka qenë aq e dobët sa ndriçonte vetëm një llambë dhe kishte rrezik djegieje të pajisjeve. Kemi dëme në televizorë, frigoriferë dhe ndërprerje mësimi në shkollë.”
Hajzeri kërkoi zëvendësimin e shtyllave të vjetra, kabllove dhe trafos me kapacitet më të madh në lagjen Ahmetaj.
Banorja Xhevahire Beqiri shtoi se ndërprerjet po dëmtojnë bizneset dhe turizmin e fshatit, duke larguar vizitorët dhe duke shkaktuar humbje ekonomike të mëdha.
“Ne nuk pranojmë të mbetemi pa shërbime bazike. Koliqi është fshat turistik dhe po pëson humbje të mëdha, prishje pajisjesh dhe largim vizitorësh.”

Problemi i furnizimit me energji mbetet sfidë e madhe për zonat rurale si Gollaku, ku infrastruktura e vjetër nuk përputhet me kërkesat aktuale.


