Si mund ta ndalojnë BE-ja dhe NATO-ja Trumpin të pretendojë Grenlandën? Katër opsionet në tavolinë
Diplomacia evropiane dhe NATO po shqyrtojnë opsionet për të mbrojtur Grenlandën nga ambiciet e Donald Trump, duke filluar nga lobimi diplomatik deri te mundësia e vendosjes së trupave në ishull.

Opsionet e Evropës përballë pretendimeve të Trump për Grenlandën
Administrata e Donald Trump ka ripërsëritur synimin që Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Grenlandës, duke e cilësuar këtë si një çështje të "sigurisë kombëtare". Paralajmërimet se SHBA do të veprojë "pavarësisht nëse u pëlqen të tjerëve apo jo" kanë vënë në lëvizje Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilët ndodhen para një sfide të paprecedentë diplomatike dhe strategjike.
Ndonëse Grenlanda është një territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe nuk është anëtare e BE-së, ajo mbetet nën mbrojtjen e NATO-s përmes anëtarësimit danez. Derisa liderët evropianë insistojnë në sovranitetin dhe integritetin territorial të ishullit, ja cilat janë strategjitë që po konsiderohen për të ndaluar ambiciet e Trump:

1. Diplomacia dhe Siguria Arktike
Lobi diplomatik danez dhe ai i Grenlandës tashmë kanë nisur punën në Uashington. Strategjia e tyre synon t'u kujtojë amerikanëve se traktatet ekzistuese (nga viti 1951 dhe 2004) lejojnë tashmë një prezencë masive ushtarake pa pasur nevojë për "blerje" të territorit. Mesazhi për republikanët është i qartë: një sulm apo veprim unilateral ndaj Grenlandës do të shënonte "fundin e NATO-s", pasi do të ishte hera e parë që një anëtar kthehet kundër një tjetri.
2. "Bazuka" Tregtare dhe Sanksionet Ekonomiuke
BE zotëron instrumentin anti-shtrëngues, i njohur si "bazuka tregtare", i cili mund të bllokojë mallrat dhe investimet amerikane në tregun evropian. Megjithatë, përdorimi i këtij mjeti shihet si i pamundur për shkak të varësisë së Evropës nga teknologjia amerikane dhe nevojës për mbështetjen e SHBA-së në luftën në Ukrainë.
3. Investimet në Grenlandë
Për të parandaluar varësinë ekonomike të Grenlandës nga lëvrimet miliardere që premton Trump, Komisioni Evropian po harton plane për të rritur ndjeshëm fondet për ishullin. Synimi është që Nuuk (kryeqyteti i Grenlandës) të mos tundohet nga korporatat "grabitqare" amerikane pas fitimit të pavarësisë së mundshme nga Danimarka.
4. "Mburoja" Ushtarake: Trupa evropiane në ishull?
Një propozim proaktiv sugjeron vendosjen e trupave evropiane në Grenlandë si një "sinjal angazhimi". Ndonëse kjo nuk do të çonte në luftë me SHBA-në, skena e marrjes rob të trupave aleate evropiane nga forcat amerikane do të shkatërronte besueshmërinë ndërkombëtare të Uashingtonit dhe do të nxiste reagime të forta brenda vetë Kongresit Amerikan.
Gjermania ka konfirmuar se po punon në një plan të "parandalimit evropian", ndërsa zyrtarët e lartë shpresojnë që presioni ndërkombëtar dhe diplomacia e mençur do ta bëjnë Trump të heqë dorë nga ky pretendim që po trondit themelet e aleancës transatlantike.

