Bedri Hamza i përgjigjet Kurtit: Takimet nuk kanë problem, por përgjegjësia për qeverinë dhe presidentin është e juaja
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk e ka problem të takohet me Albin Kurtin për marrëveshje politike, por thekson se përgjegjësia kryesore për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese.

Bedri Hamza i përgjigjet Kurtit: Takimet nuk kanë problem, por përgjegjësia për qeverinë dhe presidentin është e juaja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar ndaj ftesës së mundshme nga Albin Kurti për biseda politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ai ka deklaruar se nuk ka asgjë të keqe në takime, por ka theksuar se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka siguruar 57 ulëse në Kuvend.
"I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë... Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit," u shpreh Hamza në intervistën e tij të parë ekskluzive pas zgjedhjeve.
“Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre.”
Hamza sqaroi se PDK-ja do të votojë nënkryetarët e Kuvendit sipas marrëveshjes, por nuk do të votojë kryetarin e Kuvendit pa një marrëveshje politike të qartë.
Sa i përket postit të Presidentit, i cili duhet të zgjidhet brenda një muaji e gjysmë, Hamza shprehu gatishmërinë për biseda: "Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë."
Ai rikujtoi shembujt historikë nga zgjedhjet e mëparshme të presidentëve në Kosovë, ku partia fituese ose më e madhe ka marrë përgjegjësinë kryesore, duke shkëmbyer pozita si kryeministër për të siguruar votat e nevojshme.
“Gjithmonë partia e cila e formon qeverinë, i takon përgjegjësia më e madhe që ta gjejë formulën se si ta zgjedh presidentin.”
PDK-ja, si parti e dytë me 22 ulëse, deklarohet e hapur për bashkëpunim në interes të vendit, por nuk pret ndonjë parti specifike për koalicione.
Bashkëpunimi politik pas zgjedhjeve
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, LVV ka fituar me 57 mandate, ndërsa PDK-ja ka siguruar 22. Formimi i qeverisë dhe institucioneve të tjera mbetet sfidë kryesore për partitë politike.
Hamza theksoi se PDK-ja ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për interesat e vendit dhe do të vazhdojë të jetë, por sipas kushteve të qarta dhe reciproke.