Sinjalet nga Uashingtoni: Rinisja e Dialogut Strategjik si prioritet për Qeverinë e re të Kosovës
SHBA-ja jep sinjale për rifillimin e dialogut strategjik me institucionet e reja të Kosovës, pas një viti stagnimi në marrëdhënie.

Një Epokë e Re në Marrëdhëniet Kosovë-SHBA?
Ndërkohë që Kosova po bën hapat e parë drejt konsolidimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit, sinjalet që vijnë nga Uashigtoni sugjerojnë një mundësi të rëndësishme për rivendosjen e raporteve strategjike. Pas një periudhe të ftohtë në komunikim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë indikacione se janë të hapura për të "rinisur" dialogun strategjik me Qeverinë e re që pritet të formohet.
Martin Vulaj, President i Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, thekson se prioriteti kryesor për Kosovën mbetet stabiliteti i brendshëm politik. Sipas tij, viti i fundit është karakterizuar nga një lloj stagnimi që duhet tejkaluar menjëherë pas formimit të institucioneve.
“Prioriteti i parë është një qeveri stabile. Kemi një vit kohë që e kemi djegur me jostabilitet të brendshëm politik. Pasi të krijohen institucionet, duhet të punohet menjëherë që të sillet kryeministri në Uashington për takime të nivelit të lartë.”
Dialogu strategjik nuk është thjesht një procedurë diplomatike, por konsiderohet si themeli i sigurisë dhe partneritetit ekonomik. Basri Muja, ligjërues i shkencave politike, vlerëson se ky dialog e rivendos Kosovën në kornizën e partneritetit me fuqinë kryesore globale, duke i dhënë vendit një pozicion më të favorshëm në arenën ndërkombëtare.
Pse është jetik Dialogu Strategjik?
- Dialogu me Serbinë: Një koordinim më i ngushtë me SHBA-në forcon pozicionin negociues të Kosovës.
- Njëhjet dhe Integrimi: SHBA mbetet motori kryesor për proceset e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
- Siguria dhe Ekonomia: Dialogu ndikon drejtpërdrejt në sigurinë rajonale dhe krijon kushte për investime serioze amerikane në Kosovë.
Kujtojmë se dialogu strategjik ishte pezulluar nga SHBA-ja në shtator të vitit të kaluar. Ky veprim erdhi si pasojë e asaj që u cilësua si mungesë koordinimi nga ana e qeverisë "Kurti" për veprimet në veri të vendit. Aktualisht, freskimi i këtyre marrëdhënieve shihet si një mundësi e artë për institucionet e reja që të kthejnë besimin e humbur te aleati kryesor strategjik.


