Ekspertët: Kriza energjetike po godet rëndë bizneset në Kosovë
Ndërprerjet e papritura të energjisë elektrike dhe çmimet e larta po shkaktojnë humbje të mëdha për bizneset, veçanërisht sektorin prodhues. Ekspertët Kushtrim Ajvazi dhe Vezir Rexhepi paralajmërojnë rrezik për rritje të re çmimesh.

Situata me furnizimin me energji elektrike në Kosovë po vazhdon të shkaktojë shqetësime të mëdha te bizneset dhe ekonomia në përgjithësi. Ndërprerjet e papritura dhe çmimet e larta po sjellin humbje të konsiderueshme, veçanërisht për sektorin prodhues, sipas ekspertëve.
“Është një situatë shqetësuese për bizneset që po ballafaqohen me këtë situatë sepse humbjet janë të pariparueshme...”
Ajvazi thekson se bizneset po paguajnë çmime dyfish më të larta dhe vuajnë ndërprerje, duke e bërë të vështirë vazhdueshmërinë e punës. Ai paralajmëron rritje të re çmimi nga prilli për shkak të importeve të larta dhe mungesës së planeve strategjike.
Profesor Vezir Rexhepi shpjegon se dimri rrit kërkesën për energji dyfish, ndërsa sistemi ka probleme në prodhim dhe transmetim. Termocentralet e KEK-ut kanë probleme për shkak të vjetërsisë, duke çuar në reduktime të detyrueshme që dëmtojnë bizneset.
“Reduktimet e tilla ndikojnë shumë në ekonominë edhe biznesore... sjellin dëme ekonomike të konsiderueshme.”
Ekspertët theksojnë nevojën për investime në kapacitete të reja dhe burime të rinovueshme për të shmangur përkeqësimin e situatës.