Kosovë

Uji pas 25 vitesh: Kur pritet të nisë faturimi në veri të Kosovës?

Pas 25 vitesh, banorët e komunave veriore të Kosovës do të faturëzohen për ujin e shpenzuar. KRU 'Mitrovica' njofton se procesi pritet të nisë në mars ose prill.

Nga Admin User
Uji pas 25 vitesh: Kur pritet të nisë faturimi në veri të Kosovës?

Faturimi i ujit në veriun e Kosovës pritet të nisë në pranverë

Pas më shumë se dy dekadash, qytetarët në komunat veriore të Kosovës do të fillojnë të paguajnë për shpenzimin e ujit. Ky projekt, i cili konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt integrimit dhe ligjshmërisë, pritet të jetësohet në mars ose prill të këtij viti.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se tashmë ka filluar procesi i përgatitjeve teknike dhe administrative. Bashkim Kurti, kryeshef i KRU "Mitrovica", konfirmoi për RTK se stafi menaxhues për njësitë në veri ka filluar punën që nga 5 janari.

Jemi në proces të rekrutimit të stafit. Shpresojmë që në javën e ardhshme të hapim konkursin për pjesën tjetër të personelit. Menaxherët e njësive veç kanë filluar punën për tri njësitë operative në veri, po ashtu edhe për impiantin në Zubin Potok.

Bashkim KurtiRTK

Një nga sfidat kryesore mbetet regjistrimi i saktë i konsumatorëve dhe instalimi i matësve të ujit. Për këtë arsye, faturimi nuk do të jetë retroaktiv – pra banorët nuk do të paguajnë për ujin e shpenzuar në të kaluarën, por vetëm nga momenti i regjistrimit dhe instalimit të matësit.

Veriu i Mitrovicës dhe furnizimi me ujë
Procesi i faturimit në veri pritet të zgjasë deri në instalimin e plotë të matësve.

Gatishmëria e qytetarëve për të paguar duket të jetë e lartë, me kusht që furnizimi të jetë i rregullt. Banorët lokalë shprehen se ashtu siç filloi pagesa e rrymës para një viti, është normale që të paguhet edhe për ujin dhe shërbimet e tjera komunale.

Vetëm le të ketë ujë, të gjitha tjerat janë të mundshme. Do ta paguajmë pa problem. Patjetër do ta paguajmë, pse jo.

Slavko MandiqBanor në veri të Mitrovicës

Si një hap simbolik drejt këtij procesi, KRU "Mitrovica" ka nënshkruar kontratën e parë të faturimit me Komunën e Mitrovicës së Veriut. Autoritetet paralajmërojnë se kontrata të ngjashme do të nënshkruhen së shpejti edhe me institucione të tjera publike dhe me vetë qytetarët, duke e konsideruar këtë si çelës për një sistem të qëndrueshëm të furnizimit.

Artikuj të Ngjashëm

Kthuni në Faqen e Parë