Fenerbahçe ofron zyrtarisht 12 milionë euro për Vedat Muriqin, e ardhmja e kosovarit vendoset këtë javë
Klubi turk Fenerbahçe ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 12 milionë eurosh për të rikthyer sulmuesin kosovar Vedat Muriqi nga Mallorca. Negociatat po vazhdojnë, ndërsa vendimi për të ardhmen e tij pritet të merret deri në fund të kësaj jave.

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi po vazhdon të jetë një nga lojtarët më të ndjekur në merkato të dimrit, pavarësisht se ka shprehur dëshirën për të qëndruar te RCD Mallorca.

Ish-klubi i tij, Fenerbahçe, po bën përpjekje të mëdha për ta rikthyer në Superligën turke. Sipas medias turke Fotomaç, gjiganti stambollit ka dërguar një ofertë zyrtare prej 12 milionë eurosh te Mallorca, dhe negociatat mes dy klubeve janë në zhvillim.
Mallorca po kërkon të paktën 16 milionë euro për transferin e Muriqit, i cili këtë sezon ka shënuar 14 gola në La Liga. Megjithatë, sulmuesi 30-vjeçar ka deklaruar se është i lumtur në Spanjë dhe dëshiron të qëndrojë për të thyer rekordin e Samuel Eto'o si golashënuesi më i miri në histori të klubit me 54 gola. Aktualisht, Muriqi ka 48 gola.
“"Jam i lumtur këtu dhe kam një kontratë. Kur një sulmues shënon shumë gola, vijnë oferta. Klubi do të vendos për të ardhmen time, pastaj unë do të marr vendimin tim".”
E ardhmja e kosovarit pritet të qartësohet deri në fund të kësaj jave. Nëse oferta e Fenerbahçes nuk plotësohet, Muriqi mund të vazhdojë aventurën e tij spanjolle, ku po shkëlqen.