Funksionalizohet Komisioni i Përbashkët për të Zhdukurit mes Kosovës dhe Serbisë, BE me pritshmëri të mëdha
Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për të Zhdukurit, duke vlerësuar si hap të rëndësishëm fillimin e punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Funksionalizohet Komisioni i Përbashkët për të Zhdukurit mes Kosovës dhe Serbisë, BE me pritshmëri të mëdha
Pak më shumë se një vit nga përpjekja e dështuar e mëparshme, Bashkimi Evropian ka arritur të ulë në takim përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të enjten mbrëma, duke funksionalizuar Komisionin e Përbashkët për të Zhdukurit.
Zëvendëskryeministri në detyrë për dialog, Besnik Bislimi, e ka vlerësuar si të suksesshëm takimin që shënon nisjen e punës së këtij komisioni, i cili ka për objektiv mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës së Përbashkët për të Zhdukurit, të nënshkruar më 2 maj 2023.
“Kosova kërkoi zbatimin e plotë të deklaratës, duke përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara të institucioneve dhe ushtrisë serbe, si dhe përshpejtimin e punës në terren.”
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, theksoi kërkesat e Kosovës për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, deklaroi se komisioni synon të hedhë dritë mbi fatin e personave të zhdukur, përfshirë ata të zhdukur me forcë.
“Bashkimi Evropian ka pritje të mëdha që Komisioni i Përbashkët të kontribuojë ndjeshëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe të ndihmojë në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet.”
Megjithatë, organizatat joqeveritare si Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) nuk kanë pritshmëri të larta, duke iu referuar përvojës së mëparshme.
“Fatkeqësisht, ndër vite çështja e të zhdukurve është trajtuar më shumë si politike sesa humanitare.”
Blakaj shprehu skepticizëm për zbatimin e plotë të deklaratës, veçanërisht për qasjen në arkivat serbe, duke theksuar se kjo mund të çojë në përgjegjësi penale.
Deklarata e Përbashkët u nënshkrua më 2 maj 2023 në Bruksel nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, duke e cilësuar çështjen si humanitare dhe urgjente.
Takimi i parë erdhi dy vjet e tetë muaj më vonë, pas bllokadave nga Serbia. Sipas Termave të Referencës të dakorduara në dhjetor 2024, pritet të mbahen gjashtë takime në gjashtë muajt e parë.