Gërvalla në Platformën e Paqes për Ballkanin: Bashkëpunimi rajonal, thelbësor për siguri dhe stabilitet
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal për siguri dhe prosperitet.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin. Në këtë forum, ajo ka shkëmbyer pikëpamje me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mbi çështje të interesit të përbashkët.
Gërvalla ka theksuar se bashkëpunimi dhe siguria rajonale janë shtylla themelore të politikës së jashtme të Kosovës. Ato konsiderohen parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëpunimi me Turqinë, sidomos në fushën e mbrojtjes, është strategjik, transparent dhe i orientuar drejt paqes; ai synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kontributit në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse.”
Duke marrë parasysh sfidat gjeopolitike globale, ministrja ka vënë në dukje nevojën për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal si domosdoshmëri strategjike. Ajo ka vlerësuar rolin e Platformës si forum ku sfidat e sigurisë trajtohen përmes dialogut dhe diplomacisë.
Gërvalla ka konfirmuar angazhimin e Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe dialog si mjet për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.