Gucati: Protestat kundër Gjykatës Speciale kanë dhënë efekt, Thaçi lejohet të flasë me familjen në Zoom
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, deklaron se protestat kundër Gjykatës Speciale kanë pasur ndikim pozitiv, duke lejuar Hashim Thaçin të komunikojë me familjen përmes Zoom-it. Ai shprehet optimist për lirimin e tyre në pranverë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar në një intervistë për emisionin “Info Magazina” në Klan Kosova se protestat e zhvilluara kundër Gjykatës Speciale kanë pasur një efekt të dukshëm pozitiv.

Sipas Gucatit, këto protesta kanë ndikuar në ndryshime të rëndësishme brenda gjykatës. Ai ka theksuar se informacionin e ka marrë direkt nga mbrojtja ligjore e grupit Thaçi dhe të tjerëve.
“Protestat kanë pasur efektin e vet në mënyrën pozitive, ky është një informacion që e kemi marrë nga mbrojtja e grupit, Thaçi dhe të tjerët, që ka pasur efekt shumë të mirë. Dhe kanë fillu edhe disa gjëra që të kenë ndryshim të madh drastik brenda gjykatës. Thaçit po i lejohet të flasë në zoom me familjen.”
Gucati ka përmendur si shembull konkret lehtësimin e kushteve për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili tani lejohet të komunikojë me familjen përmes platformës Zoom.
Kryetari i OVL-UÇK-së ka shprehur optimizëm për zhvillimet e mëtejshme të këtij procesi gjyqësor, duke shpresuar në një fund të shpejtë pozitiv.
“Shpresoj që në pranverën e vonshme ta festojmë lirimin e tyre.”


