Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e memorialit përkujtimor “Adem Jashari”
Komuna e Prishtinës ka shpallur konkurs publik për dizajnin e një memoriali kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij. Buxheti i ndarë është 150 mijë euro, ndërsa memoriali do të vendoset në qendër të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e memorialit përkujtimor “Adem Jashari”
Komuna e Prishtinës ka nisur një konkurs publik për dizajnin e një memoriali përkujtimor kushtuar komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe sakrificës heroike të familjes së tij. Për këtë projekt është paraparë një buxhet prej 150 mijë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar, ky memorial synon të përjetësojë sakrificën unike të familjes Jashari nga Prekazi i Skënderajt, e cila shënoi një moment kulmor në luftën për liri. Rënia e Adem Jasharit bashkë me 58 anëtarë të familjes së tij, duke përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, konsiderohet një akt mbinjerëzor për idealin e lirisë.
Memoriali do të vendoset në një hapësirë publike qendrore të Prishtinës, mes ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Gurit. Ai do të integrohet në projektin urban për lidhjen e shëtitores me sheshin 'Ibrahim Rugova' dhe pjesën e vjetër të qytetit përmes nënkalimit në rrugën 'Agim Ramadani'.

Sipas vizionit, rruga 'Agim Ramadani' do të bëhet nëntokësore, ndërsa sipërfaqja do të shndërrohet në një pllato për këmbësorë. Këtu do të ndërtohet memoriali dhe hapësira përreth tij, duke e bërë sakrificën e familjes Jashari pjesë të jetës së përditshme të qytetarëve.

Projekti është në përputhje me vizionin e kryetarit Përparim Rama për një kryeqytet modern, gjithëpërfshirës dhe që promovon trashëgiminë kulturore. Ai do të forcojë identitetin historik të Prishtinës dhe do të shërbejë si simbol i lirisë në hapësirën publike.
Dosja e konkursit tashmë është publikuar dhe arkitektët e dizajnerët mund të aplikojnë për të kontribuar në këtë projekt të rëndësishëm. Ky nismë pritet të tërheqë propozime kreative që reflektojnë rëndësinë e sakrificës së familjes Jashari.
Detajet e konkursit
Lokacioni: Mes Kuvendit dhe Xhamisë së Gurit.
Buxheti: 150,000 euro.
Synimi: Përjetësimi i sakrificës së familjes Jashari në Prekaz.
