Kurti nga Davosi akuzon opozitën: Nuk doja zgjedhje të reja, ata refuzuan bashkëpunimin
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar nga Davosi se zgjedhjet e reja erdhën si pasojë e mosbashkëpunimit të opozitës, duke kritikuar LDK-në dhe ambiciet e Fatmir Limajt për postin e kryeparlamentarit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ka hedhur dritë mbi arsyet që çuan në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

"Para se gjithash, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën", ka deklaruar Kurti në një bisedë me Rory Stewart.
“Një nga to nuk donte të takoheshim, njëra nga to e dëshironte postin e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë.”
Kurti ka përmendur rastin e LDK-së, e cila sipas tij nuk dëshironte takim fare, si dhe ambicjen e Fatmir Limajt për postin e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë. Ai ka treguar se Vetëvendosje ka propozuar emra të ndryshëm për kryeparlamentar, duke zëvendësuar madje emrin e tij me atë të Glauk Konjufcës, por opozita ka refuzuar të gjithë propozimet.
"Kështu që, përgjatë vitit 2025, ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim një qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne", ka shtuar Kurti, duke theksuar se ai vetë nuk dëshironte zgjedhje të reja, por ishte gati për to nëse do të nevojitej.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Kosovës i duhet një qeveri e re pas zgjedhjeve të fundit, ku Vetëvendosje ka marrë rezultatin më të mirë.


