PËRDITËSIM: Kurti detajon hapat deri te çështja e presidentit apo presidentes, s’e anashkalon opozitën
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar gatishmërinë për bashkëpunim me opozitën në Kuvend, duke theksuar se muaji shkurt do të jetë vendimtar për një kapitull të ri raportesh qeveri-opozitë. Ai ka shpjeguar se zgjedhja e presidentit është hapi i katërt pas konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe interesin për bashkëpunim me opozitën, por thotë se kjo mbetet për t’u parë në muajin shkurt. Gjatë një konference për shtyp në Odën e Mjekëve të Kosovës, ai theksoi nevojën për një raport të ri qeveri-opozitë në Kuvend.
“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri qeveri–opozitë. [...] Pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona.”
Kurti ka shpjeguar se takimi me presidenten Vjosa Osmani është hapi i katërt. Para tij, nevojiten tre hapa: certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit (zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve), formimi i qeverisë dhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare si ato me Bankën Botërore dhe Plani i Rritjes së BE-së prej 882.6 milionë eurosh.
“Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita.”
Ai ka theksuar mbështetjen e madhe të popullit për Vetëvendosjen dhe nevojën për dy të tretat e votave në Kuvend për vendime të rëndësishme, duke mos anashkaluar opozitën. Gjithashtu, Kurti ka përmendur dëshirën e Kosovës për të kontribuar në paqen botërore.