Kusari: Vendim historik – Paditë SLAP dhe krimet ndaj gazetarëve trajtohen me urgjencë nga KGJK
Juristja e medias Flutura Kusari njofton për një vendim historik të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Kosova bëhet vendi i parë në Europë që trajton me prioritet paditë SLAPP, rastet e shpifjes dhe krimet ndaj gazetarëve.

Kusari: Vendim historik – Paditë SLAP dhe krimet ndaj gazetarëve trajtohen me urgjencë nga KGJK
Juristja e njohur e medias, Flutura Kusari, ka shpallur një vendim historik të marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK). Sipas Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026-2028, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), rastet e shpifjes dhe krimet ndaj gazetarëve do të trajtohen me prioritet absolut.
Kosova është vendi i parë në Europë që vendos prioritet gjyqësor për rastet SLAPP. Gjithashtu, me urgjencë do të trajtohen edhe rastet që përfshijnë punëtorët e mediave dhe aktivistët e shoqërisë civile.
“Jashtëzakonisht e gëzuar që paditë SLAP, rastet e shpifjes dhe krimet ndaj gazetarëve do të trajtohen ashtu siç e meritojnë, me urgjencë.”
Ky vendim është miratuar nga KGJK dhe është përshëndetur nga Koalicioni Europian kundër Padive SLAPP (CASE), me 120 anëtarë nga e gjithë Europa.
Paditë SLAPP përdoren shpesh për të heshtur zërat kritikë, duke u bërë një kërcënim i madh për demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Ky hap përforcon mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë.