Limaj: Presidentja dha mandat pas një akti antikushtetues, sipas Gjykatës Kushtetuese
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpall antikushtetues zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, duke thënë se kjo prek themelet e rendit kushtetues dhe pavlefshon mandatin e dhënë nga presidentja.

Limaj: Presidentja dha mandat pas një akti antikushtetues, sipas Gjykatës Kushtetuese
Gjatë ditës së sotme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshme zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb.
Lidhur me këtë, Fatmir Limaj, udhëheqës i Nismës Socialdemokrate, ka reaguar duke thënë se e kishte paralajmëruar me kohë këtë zhvillim dhe se vendimi prek themelet e rendit kushtetues të vendit.
“E kam thënë me kohë. Sot u vërtetua. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës konfirmoi se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Ky nuk është thjesht një detaj procedural. Ky është një akt që prek vetë themelet e rendit kushtetues.”
Sipas Limajt, kur Kuvendi konstituohet mbi një vendim antikushtetues, çdo veprim i mëvonshëm, duke përfshirë dhënien e mandatit për kryeministër dhe shpërndarjen e Kuvendit, mbetet i pavlefshëm.
"Presidentja e Republikës e ka pranuar një Kuvend të ndërtuar mbi një akt antikushtetues dhe mbi këtë bazë: është dhënë mandati për Kryeministër, është shpërndarë Kuvendi, dhe vendi është futur në zgjedhje të jashtëzakonshme," shkruan Limaj.
“Kjo përbën një zinxhir veprimesh të ndërtuara mbi një shkelje fillestare të rendit kushtetues.”
Ai gjithashtu kritikon vonimin e publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, duke e quajtur atë një kalkulim politik që ka shkaktuar pasoja të pariparueshme.
"Kushtetuta është themeli i Republikës. Kur ajo shkelet, pasojat nuk janë teorike, ato janë shtetërore. Për këtë duhet përgjegjësi," përfundon Limaj reagimin e tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment të ndjeshëm politik, ndërsa Kosova përgatitet për zhvillime të reja institucionale pas zgjedhjeve të fundit.