“Liria ka Emër” merr mbështetje nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka dhënë mbështetje të plotë për platformën “Liria ka Emër” dhe marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

“Liria ka Emër” merr mbështetje nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në një takim nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Gjatë takimit, Bulliqi ka shprehur mbështetje të plotë për iniciativën e marshit “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të zhvillohet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të UÇK-së.
““Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një mesazh i fuqishëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik””
Hoxha dhe Tasholli e informuan kryetarin Bulliqi për misionin e platformës dhe aktivitetet e fushatës së mobilizimit qytetar për këtë ngjarje të rëndësishme.
““Angazhimi ynë si komunë është i qartë. Ne do ta përkrahim këtë iniciativë, sepse besojmë se vetëm me solidaritet dhe pjesëmarrje masive mund të mbrojmë idealet që na kanë sjellë lirinë””
Bulliqi u zotua se Komuna e Podujevës dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për një pjesëmarrje sa më të gjerë në këtë marsh.
Platforma “Liria ka Emër” ka filluar një seri takimesh nëpër komunat e Kosovës për të nxitur mobilizimin më të madh të mundshëm për protestën e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
Kjo iniciativë vjen në kontekstin e zhvillimeve në Gjykatën Speciale të Hagës dhe nevojës për drejtësi të paanshme për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Takime të ngjashme janë mbajtur më parë me figura të tjera politike si Ardian Gjini nga Gjakova.