Marrëveshje historike në turizmin e Kosovës: Bashkëpunim me AHLEI për zhvillim profesional
Unioni i Turizmit të Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me AHLEI, institutin lider amerikan për trajnime në turizëm dhe hoteleri. Ky partneritet hap rrugën për certifikime ndërkombëtare dhe rritje të cilësisë së shërbimeve turistike në Kosovë.

Unioni i Turizmit të Kosovës ka arritur një hap historik duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me American Hotel & Lodging Educational Institute (AHLEI), institutin lider botëror për trajnime dhe certifikime në fushën e hotelerisë dhe turizmit.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në një ceremoni zyrtare, përfaqëson bashkëpunimin e parë të këtij niveli midis një organizate nga Kosova dhe një institucioni të tillë amerikan. Synimi kryesor është rritja e standardeve profesionale në sektorin turistik vendor.
Mes qëllimeve kryesore të këtij partneriteti strategjik janë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, zhvillimi i aftësive të fuqisë punëtore dhe forcimi i pozicionit konkurrues të bizneseve turistike kosovare në tregun ndërkombëtar.

Në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, përfaqësues të sektorit privat dhe aktorë të tjerë kyç të industrisë turistike.
AHLEI, i themeluar nga Shoqata Amerikane e Hoteleve dhe Restoranteve, operon në mbi 100 vende të botës. Ai ofron programe trajnimi dhe certifikime të njohura globalisht, duke synuar ngritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimit në mikpritje.
KY bashkëpunim konsiderohet një mundësi e madhe për Kosovën për të avancuar sektorin turistik, duke e bërë atë më tërheqës për investitorët dhe vizitorët ndërkombëtarë.
