I ftohtë polar në Kosovë: Moti i martës sjell vranësira dhe temperatura deri në -12 gradë
Moti të martën do të jetë kryesisht i vranët dhe me temperatura tejet të ulëta, ku minimalet do të zbresin deri në -12 gradë Celsius.

Temperaturat ulen deri në -12 gradë Celsius
Kosova do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta ajrore edhe gjatë ditës së martë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me temperatura mjaft të ulëta, tipike për këtë periudhë të vitit.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -12 dhe -7 gradë Celsius, duke bërë që mëngjesi të jetë mjaft i ftohtë dhe me ngrica të theksuara në rrugë, andaj këshillohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në komunikacion.
Ndërkohë, temperaturat maksimale të ditës pritet të arrijnë nga -2 deri në 2 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra për sekondë.


