Orteku bie në Brezovicë, ShKShMK paralajmëron rreziqe të reja për skitarët
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës njofton për një ortek të raportuar sot në Brezovicë jashtë shtegut të rregullt. Fatmirësisht pa lëndime, por kushtet e borës krijojnë rrezik të shtuar për ortekë të rinj.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar për një incident orteku të ndodhur sot në zonën e Brezovicës, jashtë shtegut të rregulluar për aktivitete skijimi.
Sipas njoftimit, orteku është shkaktuar nga disa skitarë, mirëpo fatmirësisht të gjithë personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime të rënda.
““Teknikët e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës, kanë evidentuar dy shtresa problematike në zonën e Brezovicës. Nga këto, më shqetësuesja është shtresa bazë mbi vegjetacion (Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar)”.”
Si rezultat i reshjeve të fundit të borës të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës. Këto kanë rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta, duke krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë të rinj.
ShKShMK apelon skitarët dhe bjeshkatarët për kujdes maksimal, veçanërisht në faqet veriore të maleve, por pa përjashtuar rrezikun në orientime të tjera gjeografike.
Incidenti nxjerr në pah rëndësinë e respektimit të shtegjeve të siguruara dhe monitorimit të kushteve të motit në zonat malore.