KQZ mbyll numërimin: LVV fiton 51.11%, Albin Kurti thyen rekord me 404 mijë vota personale
KQZ mbyll numërimin e të gjitha votave: LVV fiton 51.11% (486,994 vota), ndërsa Albin Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota personale. PDK ankohet në PZAP për votat e diasporës.

LVV me 57 ulëse, Albin Kurti me rekord votash personale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar zyrtarisht numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Rezultatet konfirmojnë një fitore historike për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka arritur të sigurojë 51.11 për qind të votave, apo 486,994 vota në total.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, është konfirmuar si personi më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, duke marrë besimin e 404,023 qytetarëve. Ky rezultat i jep subjektit të tij 57 vende në Kuvendin e ri prej 120 deputetësh, duke e lënë vetëm 4 mandate larg shumicës absolute.

Ankesat dhe hapi i radhës drejt certifikimit
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se institucioni është i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare, por tani hapet dritarja për ankesat ligjore. “Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi Elezi.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar tashmë një ankesë në PZAP, duke kërkuar shfuqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur me postë, një proces që përfundoi në orët e para të 9 janarit.
Rënditja e partive dhe pjesëmarrja në votime
Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte 45 për qind e trupit votues. Pas LVV-së, rënditja e subjekteve politike është si vijon:
- PDK: 20.19% të votave (22 ulëse)
- LDK: 13.23% të votave (15 ulëse)
- AAK: 5.50% të votave (6 ulëse)
Në kampin e komuniteteve, Lista Serbe ka siguruar 9 nga 10 vendet e garantuara për serbët, ndërsa një mandat i ka takuar Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit. 10 vendet e tjera për minoritetet joserbe janë ndarë mes disa koalicioneve dhe partive tjera.
LVV ka bërë të ditur se synon formimin e shpejtë të institucioneve të reja fill pas certifikimit, për të shmangur vonesat që pasuan zgjedhjet e 9 shkurtit, ku Kuvendi nuk u konstituua deri në tetor.