Përleshje me thika në Klinë, dy të plagosur, Policia jep detajet e fundit
Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një rrahjeje me thika dhe mjete të hekurta në rrugën "Leonard Palucaj" në Klinë. Policia konfirmon se sulmuesi i tretë ndodhet në arrati.

Përleshje me thika në Klinë, dy të plagosur, Policia jep detajet e fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Klinës, ku si pasojë e një rrahjeje me mjete të mprehta kanë mbetur të lënduar dy persona. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Leonard Palucaj" rreth orës 10:40, pas një mosmarrëveshjeje mes tre personave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar rastin për mediat, duke sqaruar se në përleshje janë përdorur mjete të ftohta dhe mjete të hekurta. Sipas tij, dy të plagosurit janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Policia është njoftuar rreth rastit në orën 10:40 se në rrugën “Leonard Palucaj”, pas një mosmarrëveshjes mes tre personave. Kanë dalë jashtë dhe janë perleshur, dy prej tyre kanë marrë lëndime trupore dhe dyshohet se iu është shkaktuar nga mjeti i ftohtë, apo mjet i hekurt. Janë duke u trajtuar në spital rajonal dhe sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.”
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se njëri nga personat e përfshirë në këtë incident është ende në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit. Hetuesit policorë po punojnë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e plota që çuan deri te ky akt i dhunshëm.
Deri më tani, gjendja shëndetësore e të plagosurve raportohet të jetë stabile dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën, sipas informacioneve të pranuara nga ekipi mjekësor.


