Presidenti i Iranit thyen heshtjen, fajëson fuqitë e huaja për protestat
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, akuzoi fuqitë e huaja për nxitjen e protestave, por premtoi se qeveria do të dëgjojë shqetësimet ekonomike të qytetarëve.

Pezeshkian thyen heshtjen për protestat në Iran: Fajëson "fuqitë e huaja" për kaosin
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka thyer heshtjen e tij ndaj valës së protestave që ka përfshirë vendin, duke përdorur një gjuhë të dyanshme: fajësimin e faktorëve të jashtëm dhe një thirrje për dëgjimin e zërit të popullit.
Në një intervistë për mediat shtetërore, Pezeshkian i cilësoi lëvizjet e dhunshme si veprime të "terroristëve" të lidhur me fuqitë e huaja. Sipas tij, këta elementë po shfrytëzojnë situatën për të djegur xhami, për të vrarë njerëz dhe për të shkatërruar pronën publike.
“Armiqtë e Iranit po kërkonin të mbjellnin kaos dhe çrregullim duke urdhëruar trazira.”

Midis dorës së fortë dhe mesazhit pajtues
Ndonëse akuzoi "armiqtë" për orkestrim të trazirave, Pezeshkian, i cili njihet si një figurë relativisht e moderuar brenda sistemit iranian, u shpreh se udhëheqësia është e gatshme të dëgjojë kërkesat e qytetarëve. Ai pranoi se shkëndija fillestare e protestave ishte gjendja e rëndë ekonomike dhe inflacioni i lartë.
Pezeshkian u bëri thirrje qytetarëve që të distancohen nga ata që ai i quajti "rebelë", duke premtuar se qeveria e tij është e angazhuar maksimalisht për të zgjidhur problemet ekonomike që kanë nxjerrë njerëzit në rrugë.
Pozicioni i Pezeshkian në sistemin e ndërlikuar iranian
Analistët thonë se pozicioni i presidentit mbetet i lëkundur. Edhe pse ai mban pushtet ekzekutiv, çdo vendim i tij i rëndësishëm mund të shfuqizohet nga Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Pezeshkian ka arritur të lundrojë në politikën iraniane duke ruajtur lidhje me konservatorët, por pa qenë një aleat i ngushtë i krahut ultrakonservator që dominon vendin.
Situata në Iran mbetet e tensionuar, teksa bota vëzhgon me vëmendje nëse ky "ton pajtues" do të përkthehet në reforma reale apo është thjesht një taktika për të qetësuar revoltën popullore.


