Rikthehet dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel: Bislimi dhe Petkoviq diskutojnë për të pagjeturit
Kryenegociatorët Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë takohen sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, në ndërmjetësimin e Peter Sorensenit të BE-së.

Rikthehet dialogu në nivel kryenegociatorësh Kosovë-Serbi në Bruksel
Sot në Bruksel rifillojnë takimet mes kryenegociatorëve të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Serbisë, Petar Petkoviq. Ky është zhvillimi i parë i rëndësishëm i dialogut pas një viti ku palët u takuan vetëm dy herë, pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

Tema kryesore e diskutimeve do të jetë zbatimi i Deklaratës për të pagjeturit, dokument i miratuar në maj të vitit 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimet do të nisin në orët e pasdites. Sipas praktikës së deritanishme, Peter Sorensen, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, do të takohet ndaras me Bislimin dhe Petkoviqin, përpara një takimi të përbashkët në formatin BE–Kosovë–Serbi.
Sorensen ka marrë një mandat dyvjeçar për të udhëhequr procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ky takim shihet si një mundësi për të avancuar në çështje të ndjeshme si personat e pagjetur, një plagë e hapur e luftës së viteve 1998-1999.
“Deklarata për të pagjeturit u miratua nga liderët e të dy vendeve në maj 2023.”