Hajdari flet pas gjyqit për rezervat shtetërore: Ndihem krejtësisht e pafajshme, procesi është tendencioz
Ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, pas seancës për rezervat shtetërore ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë Speciale është tendencioze dhe në kundërshtim me ligjin, duke insistuar në pafajësinë e saj.

Hajdari: Aktakuza është tendencioze dhe në kundërshtim me ligjin
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka deklaruar të mërkurën se ndihet plotësisht e pafajshme përballë akuzave të Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, Hajdari e ka cilësuar procesin si tendencioz dhe një përpjekje për të dëmtuar punën e dikasterit që ajo drejton.
“Përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, është iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, është shprehur Hajdari para mediave.

Konsolidimi i rezervave në "kohë të vështira"
Ministrja Hajdari insistoi se qeveria ka vepruar në përputhje me interesin publik në kohën kur rezervat ishin të pakonsoliduara. Ajo theksoi se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, rezervat shtetërore janë rritur për shumëfish, sidomos gjatë krizave globale si shpërthimi i luftës në Ukrainë.
Sipas saj, Prokuroria Speciale po e shkel ligjin duke mos përfillur procedurat e informacionit të klasifikuar. Ajo shtoi se MINT është tashmë në procese gjyqësore me operatorët që nuk i kanë përmbushur detyrimet, por kjo nuk duhet të përdoret për të sulmuar dikasterin në mënyrë politike.
“Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikuar”, përfundoi ministrja.