Rusia propozon legalizimin e kazinove online për të rritur të ardhurat në krizë financiare
Ministri i Financave rus, Anton Siluanov, ka propozuar legalizimin e kazinove online si masë për të rritur të ardhurat shtetërore në mes të krizës financiare të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Sipas vlerësimeve, kjo mund të sjellë 100 miliardë rubla të ardhura tatimore në vit.

Ministri i Financave i Rusisë, Anton Siluanov, ka dërguar një letër drejtuar presidentit Vladimir Putin ku propozon legalizimin e kazinove online si një mënyrë për të rritur të ardhurat e buxhetit shtetëror. Ky propozim vjen në një kohë kur Rusia po përballet me sfida të mëdha financiare për shkak të kostove të larta të luftës kundër Ukrainës.

Kazino online janë të ndaluara në Rusi që nga viti 2009, por tregu i tyre i paligjshëm ka vazhduar të rritet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, xhiroja e tregut ligj të basteve arriti në 1.7 trilionë rubla (rreth 22.2 miliardë dollarë) në 2024, ndërsa tregu i paligjshëm i lojërave online vlerësohet në 3 trilionë rubla (39.1 miliardë dollarë).
Siluanov argumenton se legalizimi do të krijojë një sistem të unifikuar për monitorimin e basteve, duke e vendosur industrinë nën mbikëqyrjen e një rregullatori të vetëm. Gjithashtu, agjencitë qeveritare do të forcojnë përpjekjet për të bllokuar platformat e paligjshme.
“Legalizimi i kazinove online dhe vendosja e një takse mujore prej së paku 30% mbi të ardhurat bruto mund të gjenerojë rreth 100 miliardë rubla (1.3 miliardë dollarë) në vit për buxhetin federal.”

Qeveria ruse po kërkon burime të reja të ardhurash për të mbuluar deficitin buxhetor të thelluar nga lufta. Nuk dihet ende nëse Putin ka dhënë mbështetje për këtë propozim.
Ndërkohë, industria globale e lojërave online po rritet me shpejtësi, por ekspertët ngrenë alarmin për rreziqet e varësisë nga bixhozi si problem shëndetësor publik.