SBASHK kundërshton ligjëratën e Gjykatës Speciale në Gjimnazin “Xhevdet Doda”: Shkollat nuk janë për politika
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur kundërshtim të ashpër ndaj ligjëratës së organizuar nga Gjykata Speciale në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke e konsideruar atë si shfrytëzim të institucioneve arsimore për narrativa politike.

SBASHK kundërshton ligjëratën e Gjykatës Speciale në Gjimnazin “Xhevdet Doda”: Shkollat nuk janë për politika
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar me forcë kundër organizimit të një ligjërate nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
SBASHK e ka quajtur të papranueshme shfrytëzimin e institucioneve arsimore për të promovuar një narrativë të njëanshme, që synon të bindë nxënësit se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi absolute.
Sipas sindikatës, padrejtësia më e madhe është paraburgimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për më shumë se pesë vite, të cilët SBASHK i quan luftëtarë të lirisë dhe bashkëpunëtorë të NATO-s në luftën për liri dhe dinjitet.
“Është paradoksale dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që, sipas nesh, po e gjykon në mënyrë të njëanshme luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke barazuar viktimën me agresorin.”
Sindikata rikujton se gjatë periudhës së represionit serb, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe, përfshirë edhe këtë gjimnaz, ndërsa mësimdhënësit kishin vazhduar mësimin paralel me sakrifica të mëdha.
SBashK ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e YIHR-së, duke e parë si futje të agjendës politike në shkolla pa respektuar ndjeshmëritë historike dhe kombëtare.
Sindikata u bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të shkollës të marrin masa për të parandaluar shndërrimin e institucioneve arsimore në hapësira për promovim mekanizmash që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës çlirimtare.
Njëkohësisht, SBASHK apelon te të gjithë punëtorët e arsimit të jenë vigjilentë dhe të mos lejojnë aktivitete të tilla në shkolla.
/Indeksonline/