PËRDITËSIM: Dështon seanca fillestare ndaj Cvetko Kostiq për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Vushtrri
Për shkaqe procedurale ka dështuar seanca fillestare ndaj Cvetko Kostiqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Seanca u mbajt e mbyllur për publikun. Detaje nga aktakuza e Prokurorisë Speciale dhe statistikat e rasteve të ngjashme për dhunim gjatë luftës.

PËRDITËSIM: Dështon seanca fillestare ndaj Cvetko Kostiq për dhunim seksual gjatë luftës në Vushtrri
Për shkaqe procedurale ka dështuar të mbahet gjykimi fillestar në mungesë ndaj Cvetko Kostiqit, i akuzuar për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Seanca gjyqësore është mbajtur e mbyllur për publikun, ndërsa ndaj të pandehurit rëndon akuza për dhunim seksual të kryer në rajonin e Vushtrrisë, në mars të vitit 1998, gjatë periudhës së luftës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Kostiq bashkë me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.
“E dëmtuara në pamundësi që të lërë gjyshen e saj, e cila ishte në moshë të shtyrë, ka qëndruar me gjyshen në këtë shtëpi dhe gjatë kohës sa ka qenë në këtë shtëpi kanë ardhur tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma të policisë, në mesin e tyre i pandehuri Cvetko Kostiq, i cili e kishte urdhëruar të dëmtuarën F1 që të hynte brenda në shtëpinë, ku pas pak minutash kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të forcave serbe të uniformuar, të cilët e detyrojnë të dëmtuarën që të shkonte në një dhomë tjetër, ndërsa gjyshja të qëndronte aty ku ishte.”
Statistika e rasteve për dhunim seksual gjatë luftës
Deri më tani janë ngritur 12 aktakuza për dhunim seksual gjatë luftës, prej të cilave shtatë janë në mungesë.
- Për herë të parë Zoran Vukotiq u dënua me 13 vjet burgim në tri shkallë.
- Në rast tjetër Vukotiq u lirua.
- Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet dhe është në vuajtje të dënimit.
- Vitin e kaluar Dragan Deniq dhe Ivica Rajkoviq u dënuan me nga 15 vjet në mungesë.
- Vitin e kaluar filluan edhe dy procese të tjera.
Procesi gjyqësor zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, pasi nuk është arritur të sigurohet prezenca e tij. Seanca ishte e planifikuar për sot në orën 09:30 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore.