PËRDITËSIM: Vrasja e Liridonës/ Naim Murseli mohon takimin me Granit Plavën një ditë para vrasjes
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Naim Murseli ka mohuar takimin me Granit Plavën një ditë para vrasjes së Liridonës Ademaj. Prokuroria kërkon kohë shtesë për pyetje, seanca vazhdon më 11 shkurt.

PËRDITËSIM: Vrasja e Liridonës/ Naim Murseli mohon takimin me Granit Plavën një ditë para vrasjes
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridonës Ademaj më 29 nëntor 2023.
Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, liroi nga seanca e sotme Plavën dhe Kokallën për t’i dhënë hapësirë dëshmisë së Naim Murselit.
Gjatë deklaratës, Murseli tregoi se martesa e tij me Liridonën nuk ka pasur ndonjë kthesë negative, duke e përshkruar atë si një grua besnike dhe nënë të dedikuar.
Ai u shpreh se Plavën nuk e njeh aq mirë dhe nuk ka qenë në dijeni për veprimet e tij.
““Në aktakuzë e kam lexuar se Granit Plava ka thënë se një ditë para vrasjes ka takuar me mua. Nuk është e vërtetë…””
Prokurorja e rastit kërkoi së paku dy orë për ta marrë në pyetje Murselin lidhur me përgjigjet e dhëna sot dhe pyetje të tjera.
Gjykata vendosi që seanca të përmbyllet sot dhe të vazhdojë më 11 shkurt, kur pritet të përfundojë pyetja e të akuzuarve.
Deklarimet fillestare
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij. Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa konsultuar me mbrojtjen.