SHBA me paralajmërim urgjent: Qytetarët amerikanë të largohen menjëherë nga Irani
SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Irani për shkak të dhunës dhe protestave. Presidenti Trump po shqyrton opsione ushtarake dhe kibernetike.

SHBA me paralajmërim urgjent: Qytetarët amerikanë të largohen menjëherë nga Irani
Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ambasada virtuale në Teheran kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen në Iran. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: "Largohuni menjëherë".
Ky alarm vjen si pasojë e përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave anti-qeveritare që kanë përfshirë Iranin tash e tri javë. Sipas raportimeve, situata është përkeqësuar me mbyllje të internetit dhe ndërhyrje të dhunshme të aparatit të sigurisë, që deri më tani kanë rezultuar me qindra të vdekur dhe mijëra të arrestuar.
Rreziku për shtetasit amerikanë dhe opsionet e Trump
Shtetet e Bashkuara nuk kanë prezencë diplomatike direkte në Iran. Ambasada zvicerane në Teheran shërben si pikë kontakti vetëm për raste emergjente, por asistenca konsullore mbetet jashtëzakonisht e kufizuar. Rreziku është veçanërisht i lartë për shtetasit me shtetësi të dyfishtë, të cilët shpesh e kanë të pamundur të marrin mbrojtje nga jashtë.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump po shqyrton një gamë të gjerë opsionesh për t'iu përgjigjur krizës. Sipas raportimeve nga "New York Times", Pentagoni i ka paraqitur presidentit skenarë të ndryshëm, që nga sulmet kibernetike e deri te sulmet ushtarake në pikat strategjike.
Objektivat e mundshëm ushtarakë
Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se objektivat e mundshëm mund të përfshijnë programin bërthamor të Iranit dhe vendet e lëshimit të raketave balistike. Megjithatë, analistët sugjerojnë se opsionet më të mundshme mbeten veprimet që targetojnë aparatin e brendshëm të sigurisë, i cili po përdor forcë vdekjeprurëse kundër civilëve.
Çdo lloj sulmi i drejtpërdrejtë pritet të shkaktojë një hakmarrje të fortë nga Teherani, gjë që e rrit rrezikun për një konflikt më të gjerë rajonal. Presidenti Trump pritet të njoftohet mbi detajet e këtyre opsioneve gjatë ditës së sotme.

