Taulant Kelmendi i VV-së reagon për votat e shtuara në Pejë: Nuk i kam kërkuar askujt, hetimi i domosdoshëm!
Kandidati i Vetëvendosjes në Pejë, Taulant Kelmendi, ka reaguar pas rinumërimit ku i janë shtuar vota në disa kuti. Ai distancohet plotësisht, e quan të papranueshme dhe kërkon hetim nga institucionet.

Taulant Kelmendi i VV-së reagon për votat e shtuara në Pejë: Nuk i kam kërkuar askujt, hetimi i domosdoshëm!
Gjatë procesit të rinumërimit të votave në Komunën e Pejës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka dalë si ai që ka përfituar numrin më të madh të votave të shtuara në disa kuti votimi.
Kelmendi ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale, duke shprehur shqetësim të madh për zhvillimet dhe duke u distancuar plotësisht nga çdo ndërhyrje e mundshme.
“Tash, pas rinumërimit, kur rezultati është i pastruar dhe i pakontestueshëm, ndiej obligim të sqaroj dhe mos të lë hije në fitoren tonë. Me shumë shqetësim i kam përcjellur zhvillimet gjatë procesit të rinumërimit të votave në Pejë, ku është vërejtur se edhe mua më janë shtuar vota në disa kuti gjatë numërimit. Nuk e di nga kush dhe nuk kam kërkuar nga askush. Prandaj është e papranueshme!”
Ai thekson se ndërhyrja në vullnetin e qytetarëve është vepër penale, pavarësisht qëllimeve. Kelmendi inkurajon institucionet për të hetuar përgjegjësit dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
"Ndërhyrja në vullnetin e qytetarëve është veper penale edhe nëse dëshira e dikujt ka qenë për të më ndihmuar. Në Komunën e Pejës, votat janë numëruar të fundit dhe ishte e qartë se mbështetja ishte e mjaftueshme për ta fituar mandatin."
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga komisionerët dhe vëzhguesit që vota të mbrohet dhe të mos tjetërsohet në asnjë rrethanë. Për më tepër, çdo ndërhyrje e tillë bie ndesh me parimet tona dhe distancohem nga çdo veprim që është në kundërshtim me to. Inkurajojmë institucionet përgjegjëse të hetojnë përgjegjësit, arsyet dhe qëllimet, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur rinumërimi në Pejë ka nxjerrë në pah parregullsi në numërimin e votave, duke ngritur pyetje për integritetin e procesit zgjedhor lokal.