Përditësim: Testimi i dronit “Skifteri K1” u bë jashtë Kosovës, goditja reale dhe jo AI – thotë Ridvan Aliu
Droni kosovar “Skifteri K1” ka kaluar testin me sukses jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Prodhuar nga Ridvan Aliu, ky dron me rreze 1000 km ka goditje reale, jo simulim AI, për shkaqe sigurie pamjet janë invertuar dhe me night vision.

Droni i quajtur “Skifteri K1”, me rreze veprimi deri në 1.000 kilometra, ka përfunduar me sukses fazën e testimit dhe tashmë është gati për përdorim.

Ridvan Aliu, prodhuesi i njohur i droneve nga Kosova, ka bërë të ditur se ky dron ka kaluar testet me sukses. Ai ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një video ku shihet droni duke goditur pikën e synuar, shoqëruar me specifikat teknike kryesore.
Sipas të dhënave, “Skifteri K1” ka kohë fluturimi prej 7 orësh e 12 minutash, rreze veprimi mbi 1.000 kilometra dhe kapacitet bartës deri në 42 kilogramë.
“Testimi u zhvillua me sukses.”
Aliu nuk ka dhënë detaje shtesë për fazat e ardhshme ose destinimin e përdorimit të këtij droni, por ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për industrinë e teknologjisë kosovare.
Ky sukses nxjerr në pah potencialin e prodhuesve vendorë të Kosovës në fushën e droneve, duke kontribuar në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe mundësitë e eksportit.
Përditësim: Pas publikimit të videos së testimit të dronit “Skifteri”, Ridvan Aliu ka sqaruar detaje të reja për Telegrafin. Testi nuk është zhvilluar në territorin e Kosovës, por jashtë vendit, në lokacionin e klientit.

““Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap,””

Kjo konfirmon se goditja në video është reale dhe jo simulim me inteligjencë artificiale (AI), siç dyshohej nga disa. Kërkesa për fshehje të detajeve lidhet me sigurinë dhe klientin.