Kosovë

Vërshimet në Vushtrri: Ndërhyrjet në lumenj parandalojnë dëmet e mëdha

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, thotë se ndërhyrjet në pastrimin e lumenjve dhe kanaleve kanë ulur ndjeshëm rrezikun nga vërshimet, ndryshe nga vitet e kaluara.

Nga Admin User
Vërshimet në Vushtrri: Ndërhyrjet në lumenj parandalojnë dëmet e mëdha

Vërshimet në Vushtrri: Ndërhyrjet në lumenj parandalojnë dëmet e mëdha

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Kosovën ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në shumë zona, por Komuna e Vushtrrisë këtë herë ka shpëtuar pa dëme të mëdha. Sipas kryetarit Ferit Idrizi, kjo është rezultat i punës parandaluese në pastrimin e shtretërve të lumenjve dhe kanaleve kulluese.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, gjatë inspektimit të punimeve në lumenj.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Vushtrria ishte ndër qytetet më të goditura nga vërshimet, situata aktuale raportohet të jetë shumë më e qëndrueshme. Kryetari Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se investimet në infrastrukturën ujore kanë dhënë rezultate konkrete.

Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre.

Ferit Idrizi, Kryetar i Vushtrrisë

Sipas tij, vërshimet e vitit 2021 kishin shkaktuar dëme milionëshe pikërisht për shkak të kësaj neglizhence. Me marrjen e mandatit, prioriteti kryesor ka qenë identifikimi i zonave problematike dhe ndërhyrja në to përmes pastrimit, zgjerimit dhe betonimit të shtretërve të lumenjve.

Lumenjtë dhe zonat ku u ndërhye

Komuna ka njoftuar se janë trajtuar disa lumenj kyç që kalojnë nëpër këtë territor:

  • Lumi Silnica, Tërstena dhe Podranqa
  • Lumi që kalon nëpër fshatin Smrekonicë
  • Lumi që kalon nëpër Ceceli, Ropicë, Samadrexhë dhe Maxhunaj

Përveç lumenjve, janë pastruar edhe përroskat në fshatra si Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar dhe Dumnicë. Këto ndërhyrje kanë bërë që uji të qarkullojë pa vështirësi edhe gjatë reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm.

Ferit Idrizi

Kryetari Idrizi premtoi vazhdimin e investimeve dhe mirëmbajtjes së rregullt për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët e Vushtrrisë nga fatkeqësitë natyrore.

Kthuni në Faqen e Parë