Visar Azemi: LDK kërkon hetim parlamentar për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka kërkuar një hetim të menjëhershëm parlamentar për krizën energjetike, duke kritikuar menaxhimin skandaloz të qeverisë.

Visar Azemi: LDK kërkon hetim parlamentar për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në një konferencë për media ka paralajmëruar nisjen e një hetimi parlamentar për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë në vend.
Sipas Azemit, rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është shenjë e qartë e menaxhimit të dobët dhe skandaloz të këtij sektori nga ana e qeverisë aktuale.
“Me themelimin e Kuvendit të Kosovës, do të kërkojë hetim të menjëhershëm parlamentar, për të sqaruar përgjegjësitë për krizën aktuale; auditim të pavarur dhe të plotë të shitblerjeve të energjisë elektrike ndër vite dhe depolitizim të institucioneve energjetike.”
Azemi theksoi nevojën për të identifikuar përgjegjësitë dhe për të kryer një auditim të pavarur të transaksioneve të energjisë gjatë viteve të fundit. Ai kritikoi emërimet e fundit në institucionet energjetike si tendencë shqetësuese për partizim, që cenon profesionalizmin.
Posaçërisht, ai përmendi drejtorin e ri të KOSTT-së, i cili sipas tij është bashkëpronar i një biznesi privat në sektorin e energjisë, duke krijuar një konflikt të pastër interesi.
“Po ata që dikur thoshin se familjarët i kanë “vetëm për dasma”, sot po i shndërrojnë institucionet energjetike në strehë për emërime partiake dhe familjare.”
Azemi akuzoi qeverinë për hipokrizi, duke thënë se ata që kundërshtuan privatizimin tani po përdorin sektorin për interesa politike.
Rrugën përpara, sipas tij, e sheh në ndërtimin e një centrali me gaz, zgjidhje që LDK e ka propozuar prej kohësh për të siguruar furnizimin stabil dhe sigurinë kombëtare.
Kjo deklaratë vjen në vazhdim të paralajmërimit të LDK-së për një konferencë shtypi mbi sfidat energjetike, duke nxjerrë në pah shqetësimet e qytetarëve për reduktimet e shpeshta.