Dr. Strangelove në Kosovë: Si të mbrohet vendi pa njerëz?
Një analizë mbi takimin Kurti-Erdogan dhe krizën e thellë demografike që po kërcënon zbrazjen e Kosovës dhe dobësimin e kapaciteteve të sigurisë.

Një takim, një bisedë në Stamboll dhe drama demografike e Kosovës
Në shkurt të vitit 2023, brenda mureve të villës historike Vahdettin Köșkü në Stamboll, Albin Kurti u takua për herë të parë me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Ky takim, i shoqëruar nga një heshtje që vetëm luksi i tepruar i villës e bënte më të rëndë, nisi me pyetje të thjeshta dhe në dukje të parëndësishme për familjen dhe martesën, por që fshihnin një mesazh më të thellë për realitetin e Kosovës.

Bisedat e "mëhallës" dhe vizioni osman
Gjatë bisedës, Erdoğani pyeti Kurtin për numrin e fëmijëve. Me të marrë vesh se Kurti kishte vetëm një vajzë, dhe pas zbulimit se zëdhënësi i tij nuk ishte i martuar, presidenti turk nuk ngurroi të shprehte vizionin e tij botëkuptimor: "Dronët kanë nevojë për meshkuj, për djem të rinj, e jo për femra". Ky mesazh, i rrënjosur në një botëkuptim ku ora duket se ka mbetur e varur në një kohë tjetër, nxori në pah një frikë reale: zbrazjen e shtetit.
Shifrat alarmante të shpopullimit
Përtej narracionit diplomatik, shifrat flasin për një tragjedi të qetë. Regjistrimi i fundit i popullsisë rrëzoi iluzionet: Kosova numëron 1,586,659 banorë rezidentë. Brenda 13 viteve, popullsia është tkurrur me 11%. Më tronditës është fakti se gjatë epokës së fundit qeverisëse, rreth 151,700 banorë janë larguar nga vendi, që përbën afro 9.56% të popullsisë.
Edhe pse vitin e kaluar Kosovës iu shtuan mbi 20 mijë jetë të reja, pas llogaritjes së vdekjeve, shtimi natyror mbetet vetëm rreth 11 mijë persona. Shkalla e fertilitetit ka rënë në 1.55 - 1.88 fëmijë për grua, shifër kjo që është nën nivelin e nevojshëm për zëvendësimin e popullatës.
Rreziku për sigurinë kombëtare
Ky "kaleidoskop demografik" po fillon të gërryejë edhe shtyllat e sigurisë. Me një emigrim vjetor prej 30 mijë vetash përballë rritjes prej 10 mijësh, popullata rezidente rrezikon të rrudhet në 1.3 milionë brenda pak viteve. Kjo do të thotë më pak personel për Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Vetëm në vitin 2023, rreth 221 pjesëtarë u larguan nga ushtria, një humbje që kap shifrën e afro 8.84% të totalit.
Pyetja që mbetet pas blerjes së dronëve dhe armatimeve moderne është e thjeshtë por jetike: Dronët mund të blihen, por me çfarë blihet vullneti i njerëzve për të qëndruar në këtë vend?