Dramë në LDK: Gazmend Muhaxheri kthehet në ‘mburojë’ të Abdixhikut mes zërave për dorëheqje
Pas dështimit fatal në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK vlon nga brenda. Gazmend Muhaxheri po mbron qëndrimin e Abdixhikut, ndërsa po përmenden emrat e Hykmete Bajramit, Avdullah Hotit dhe Arben Gashit si pasardhës të mundshëm.

Dramë në LDK: Gazmend Muhaxheri kthehet në ‘mburojë’ të Abdixhikut mes zërave për dorëheqje
Situata brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mbetet tejet e tensionuar pas rezultatit të dëshpërueshëm në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit. Derisa kryetari Lumir Abdixhiku kishte lënë të hapur mundësinë e dorëheqjes në natën e zgjedhjeve, zhvillimet e fundit brenda partisë sugjerojnë një skenar tjetër.

Nënkryetari i parë i LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duket se është njeriu kryesor që po tenton të parandalojë largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë. Sipas burimeve brenda partisë, Muhaxheri është angazhuar maksimalisht si organizator i mbrojtjes së kryetarit aktual, duke insistuar se nuk ka nevojë për ndryshimin e liderit në këtë fazë.
Emrat potencialë për pasardhës
Në rast se Abdixhiku përfundimisht vendos të largohet ose detyrohet nga strukturat, tashmë janë lakuar tre emra si pretendentë kryesorë për të marrë timonin e LDK-së:
- Hykmete Bajrami
- Avdullah Hoti
- Arben Gashi
Këto zhvillime pasojnë paralajmërimin për dorëheqje të sekretarit të përgjithshëm, Imri Ahmeti, ndërkohë që anëtari i kryesisë Kujtim Shala po kërkon që partia të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të brendshme.
Përplasjet me mediat
Përveç presioneve të brendshme, Abdixhiku po përballet edhe me kritika të ashpra publike për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve. Ai së fundmi i quajti "mercenarë" disa përfaqësues të mediave, një qasje që është kritikuar si e ngjashme me atë të kryeministrit Albin Kurti, të cilin dikur Abdixhiku e sulmonte për të njëjtat arsye.
“Mercenarët u lajmëruan vet. Mendojnë se të gjithë shiten, sepse vetë janë për shitje. Nuk do ta lejojmë këtë botëkuptim të shtrihet në LDK.”
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për LDK-në, kur do të mbahen mbledhjet e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm, ku do të vuloset fati i udhëheqjes së partisë më të vjetër në vend.


