Aneksioni i Grenlandës mund t’i kushtojë SHBA-së mbi 700 miliardë dollarë
Sipas NBC News, marrja e Grenlandës do t’i kushtonte administratës Trump mbi 700 miliardë dollarë, një shifër që tejkalon gjysmën e buxhetit vjetor të Pentagonit. Megjithatë, presidenti është i vendosur ta marrë ishullin strategjik "në një mënyrë ose tjetër".

Aneksioni i Grenlandës mund t’i kushtojë SHBA-së mbi 700 miliardë dollarë
Marrja e Grenlandës mund t’i kushtojë më shumë se 700 miliardë dollarë administratës së presidentit Donald Trump, sipas tre burimeve të NBC News.
Shuma e madhe përkon me më shumë se gjysmën e buxhetit vjetor të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së. Pavarësisht kritikave të shumta, Trump ka treguar vendosmëri të plotë, duke deklaruar se Amerika do ta ketë ishullin e madh prej 800 mijë kilometrash katrorë "në një mënyrë ose në një tjetër", raporton NBC News.
“Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, e qeverisur ose pjesë e SHBA-së.”
Dëshira e Trump për të kontrolluar plotësisht Grenlandën vjen nga shqetësimi se banorët mund të kërkojnë pavarësi, çka sipas disa ekspertëve dhe ish-zyrtarëve amerikanë, do të mund të çonte në rënien e ishullit nën ndikimin e Rusisë ose Kinës.
Në një vizitë të fundit në Uashington, ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, u takua me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio, duke theksuar qartë mosdëshirën e ishullit për t’u bërë pjesë e SHBA-së.
Grenlanda ka një prani të vogël ushtarake amerikane në bazën hapësinore Pituffik dhe historikisht ka qenë e hapur për praninë e mëtejshme ushtarake ose negociata për burimet e saj të pasura, si mineralet e rralla.
Retorika e Trump ka evoluar kohët e fundit, duke u marrë më seriozisht nga administrata e tij dhe aleatët. Një alternativë më e lirë mund të jetë një marrëveshje për ndihmë financiare në këmbim të pranisë së sigurisë, por Trump preferon kontrollin e plotë, duke e krahasuar me blerjen e pronës në vend të qirasë.
/Telegrafi/AA/


