Apeli vërteton pafajësinë e Dedë Lleshit për vrasjen e para 25 viteve në Gjakovë
Gjykata e Apelit ka vërtetuar lirimin e Dedë Lleshit nga akuza për vrasjen e vitit 2003 në Raçë të Gjakovës, duke konstatuar mungesë të provave.

Apeli vërteton pafajësinë e Dedë Lleshit për vrasjen e para 25 viteve në Gjakovë
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues për Dedë Lleshin, i cili akuzohej për vrasjen e ndodhur në korrik të vitit 2003 në fshatin Raçë të Gjakovës. Vendimi i shkallës së dytë konfirmon se nuk është provuar që i akuzuari ishte autori i vrasjes së N.N., tashmë të ndjerë.
Lleshi, i cili ishte ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t'u përballur me drejtësinë kosovare, akuzohej se kishte vrarë 47-vjeçarin N.N. duke shtënë 28 herë në drejtim të tij. Sipas aktakuzës, motivi i vrasjes dyshohej të ishte hakmarrja, pasi viktima thuhej se i kishte vrarë babanë të akuzuarit 12 vite para incidentit kritik.
Arsyetimi i Gjykatës së Apelit
Në vendimin e marrë më 3 dhjetor 2025, Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke vlerësuar se Gjykata Themelore kishë vepruar drejt kur e kishte liruar Lleshin nga akuzat më 14 shkurt 2025. Sipas trupit gjykues, nuk ka pasur prova materiale apo dëshmitë që do ta lidhnin drejtpërdrejt të akuzuarin me kryerjen e veprës penale.
Dëshmitari okular i rastit kishte deklaruar se personi që kishte shtënë në drejtim të viktimës nuk kishte qenë Dedë Lleshi. Gjithashtu, asnjë nga dëshmitarët e tjerë nuk e kishte identifikuar atë si autor. Mungesa e gjurmëve materiale në vendin e ngjarjes që do ta lidhnin Lleshin me vrasjen ishte një tjetër faktor vendimtar për këtë vendim.
Kronologjia e rastit dhe ekstradimi nga SHBA
Dedë Lleshi kishte qenë në arrati që nga koha kur ndodhi vrasja në vitin 2003 deri në arrestimin e tij përmes një urdhërarrest ndërkombëtar. Ai u ekstradua nga SHBA në Kosovë në shkurt të vitit 2024, ku pas sjelljes në Aeroportin e Prishtinës, iu caktua masa e paraburgimit.
Përveç vrasjes, Lleshi ishte hetuar edhe për armëmbajtje pa leje, mirëpo kjo pjesë e hetimeve ishte pushuar pasi kishte kaluar afati absolut i parashkrimit prej 20 vitesh. Vrasja në fshatin Raçë mbetet ende një rast i pazbuluar zyrtarisht nga organet e drejtësisë.


