Avokati i “Ridit” në skandalin e Rezervave Shtetërore: Gjykata na detyroi të kundërshtojmë aktakuzën pa shkresa të lëndës
Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, e ka cilësuar si "non-sens" vendimin e gjykatës për t'i detyruar ata të kundërshtojnë aktakuzën pa pasur akses në shkresat e lëndës.

Avokati i Ridvan Muharremit: Gjyqësori po krijon situata të paprecedenta në rastin e Rezervave Shtetërore
Avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i Ridvan Muharremit në rastin e njohur si skandali i Rezervave Shtetërore, ka hedhur akuza të rënda ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e cilësuar procedurën e sotme si "non-sens" dhe të panjohur në praktikën gjyqësore të Kosovës.
Sipas Halimit, gjykata ka detyruar mbrojtjen që të paraqesë kundërshtimet ndaj aktakuzës pa u ofruar atyre akses në shkresat e lëndës, veprim ky që sipas tij cenon të drejtën e mbrojtjes dhe parimet e një procesi të rregullt gjyqësor.
“Sot ndodhi diçka që kurrë në praktikën gjyqësore nuk është njohur në gjyqet e Kosovës. Gjykata na detyroi që të ushtrojmë kundërshtim kundër aktakuzës pa i pasur shkresat e lëndës. Ky është një rast non-sens.”
Halimi theksoi se mbrojtja e ka të pamundur të deklarohet për çështjen e fajësisë apo të ndërtojë një mbrojtje efektive pa i parë provat dhe materialet që prokuroria ka grumbulluar kundër klientit të tij.

"Nuk kemi si të deklarohemi pa i pasur shkresat e lëndës. Pyetja shtrohet: Qysh me u deklaru për fajësinë kur nuk ka shkresa të lëndës?" shtoi ai, duke kërkuar mirëkuptim nga mediat për pamundësinë e dhënies së detajeve të tjera në këtë fazë.
Rasti i Rezervave Shtetërore mbetet një nga temat më të diskutuara në opinionin publik, ku Ridvan Muharremi së bashku me zyrtarë të tjerë akuzohen për keqpërdorime me blerjen e grurit dhe vajit, që dyshohet se i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra mijëra euro.


