Ndershmëri në Ferizaj: 61-vjeçari gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici
Një 61-vjeçar në Ferizaj ka dorëzuar në polici një shumë parash që i gjeti në rrugën "Dëshmorët e Kombit", duke u bërë shembull i ndershmërisë.

Gjest shembullor në Ferizaj: 61-vjeçari dorëzon paratë e gjetura në rrugë
Një qytetar nga Ferizaj ka treguar një akt të lartë ndershmërie të hënën pasdite. A. Cakolli, 61 vjeç, ka gjetur një shumë të caktuar parash në rrugën "Dëshmorët e Kombit" dhe pa hezituar i ka dorëzuar ato në stacionin policor të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00. Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit, ndërsa policia ka njoftuar menjëherë prokurorin e shtetit dhe ka iniciuar një "Shënim zyrtar".
"Paratë ruhen në stacionin e policisë në Ferizaj. Ftojmë qytetarin – pronarin e ligjshëm të kësaj shume të parave, të paraqitet në stacionin policor në Ferizaj për verifikim dhe për të tërhequr mjetet e tij," thuhet në thirrjen e policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht 61-vjeçarin për gjestin e tij human dhe përgjegjshmërinë e treguar, duke e cilësuar atë si një shembull për të gjithë qytetarët.


