Gjyqi për krime lufte: Lazoviq pranon mobilizimin, mohon pjesëmarrjen në ngjarjen e Panorcit
Sërgjan Lazoviq, i akuzuar për krime lufte në Panorc të Malishevës, dëshmoi në Prishtinë. Ai pranoi mobilizimin nga forcat serbe në vitin 1999, por mohoi kategorikisht pjesëmarrjen në torturat ndaj 500 civilëve shqiptarë.

Gjyqi për krime lufte: Lazoviq pranon mobilizimin, mohon pjesëmarrjen në ngjarjen e Panorcit
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë seancës së të martës në gjykimin ndaj Sërgjan Lazoviqit, i akuzuar për krime lufte në fshatin Panorc të Malishevës, janë administruar provat materiale dhe është dhënë mbrojtja nga i akuzuari. Lazoviq ka pranuar se ka qenë i mobilizuar nga forcat serbe gjatë vitit 1999, por ka mohuar kategorikisht përfshirjen në krimet e pretenduara në Panorc.

Detajet e mobilizimit dhe dëshmia e Lazoviqit
Gjatë dëshmisë së tij, Lazoviq deklaroi se shërbimin ushtarak e kishte kryer në vitin 1995 në Prizren. Ai shpjegoi se ishte mobilizuar si pjesëtar rezervë i armatës së atëhershme jugosllave menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999.
"Kur kanë filluar bombardimet e NATO-s, në kuadër të mbrojtjes popullore në Leposaviq, jam ftuar të paraqitem në fshatin Vuça. Si pjesëtar rezervë janë ftuar të gjithë personat e moshës madhore që kanë kryer shërbimin ushtarak," deklaroi ai para trupit gjykues.
I akuzuari shtoi se 7-8 ditët e para të mobilizimit i kishte kaluar në fshatin Vuçë, ndërsa më pas ishte caktuar në Zheronicë të komunës së Zveçanit. Ai theksoi se mospërgjigjja ndaj ftesës për mobilizim konsiderohej dezertim dhe dënohej rëndë me burgim. Lazoviq konfirmoi se ishte i uniformuar dhe i armatosur me një pushkë gjysmë-automatike të llojit "PAP".
Mohimi i akuzave për Panorcin
Përkundër pranimit të mobilizimit, Lazoviq mohoi me forcë akuzat e Prokurorisë Speciale lidhur me ngjarjet në fshatin Panorc të Malishevës. "Në mënyrë kategorike e mohoj se kam marrë pjesë në ato ngjarje dhe në atë vend," u shpreh ai.
Çfarë përmban aktakuza?
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Sërgjan Lazoviq akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer arrestime të kundërligjshme, keqtrajtime fizike dhe psikike ndaj popullatës civile shqiptare.
Aktakuza përshkruan se mes 3 dhe 5 shtatorit 1998, Lazoviq së bashku me forcat serbe, kishte rrethuar zonën e Panorcit ku ishin strehuar qindra civilë të larguar nga shtëpitë e tyre në Malishevë dhe Klinë. Atty thuhet se rreth 500 burra u ndanë nga familjet e tyre dhe u dërguan në shkollën e fshatit, ku u mbajtën të bllokuar për 30 orë në kushte të rënda dhe u torturuan.
Prokuroria pretendon se Lazoviq ishte prezent në një klasë të veçantë ku civilët merreshin në pyetje dhe rriheshin me mjete të forta, shkopinj druri dhe kabllo elektrike. Gjithashtu, ai akuzohet për pjesëmarrje në dëbimin sistematik të popullsisë drejt Shqipërisë dhe djegien e shtëpive të civilëve.
Kujtojmë se Lazoviq ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 4 dhjetor 2024. Trupi gjykues, i kryesuar nga Vesel Ismaili, vendosi gjithashtu të administrojë si provë një ekspertizë të dorëzuar nga mbrojtja, përkundër kundërshtimit të prokurorit special Armend Zenelaj.


