Hargreaves: Rinumërimi rrezikon afatet për zgjedhjen e presidentit, procesi duhet të jetë i shpejtë
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, paralajmëron se rinumërimi i votave mund të ndikojë në afatet për zgjedhjen e presidentit të ri, duke theksuar nevojën për shpejtësi dhe përkushtim nga partitë politike.

Hargreaves: Rinumërimi rrezikon afatet për zgjedhjen e presidentit, procesi duhet të jetë i shpejtë
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësimin për ndikimin e mundshëm të rinumërimit të votave në afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.

Hargreaves theksoi se, ndonëse rinumërimi është i rëndësishëm për integritetin e procesit zgjedhor, ai bart rreziqe për respektimin e afateve kohore.
“Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur…është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën.”
Ambasadori britanik uroi që rinumërimi të përfundojë shpejt, duke mundësuar krijimin e shpejtë të institucioneve të reja, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, për të miratuar buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas tij, Kosova në vitin 2026 duhet të avancojë drejt integrimit evropian, duke pasur një qeveri funksionale dhe vendimtare.
“Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit.”
Deri më tani janë rinumëruar 742 nga 2,557 vendvotime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret të shpallë rezultatet përfundimtare në fillim të shkurtit.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka deklaruar se synon një mandat të dytë.