Investimi prej mijëra eurosh në asfaltin e Dobroshecit të Drenasit hiqet si tapet pas vërshimeve
Vërshimet e fundit kanë larguar shtresën e asfaltit në segmentin e rrugës ngjitur me urën në Dobroshec të Drenasit, duke e bërë të pakalueshme. Banorët e lagjes Ademaj ankohen për shpenzime shtesë dhe probleme me nxënësit, ndërsa Komuna mohon cilësi të dobët të punimeve.

Investimi prej mijëra eurosh në asfaltin e Dobroshecit të Drenasit hiqet si tapet pas vërshimeve
Ngjan si një tapet i hequr lehtësisht, por në realitet është shtresa e asfaltit e re në segmentin e rrugës ngjitur me urën në fshatin Dobroshec të Drenasit. Vërshimet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke e bërë rrugën pothuajse të pakalueshme për banorët e lagjes “Ademaj”.
Uji ka shpëlarë asfaltin disa metra më poshtë, ndërsa te ura ka mbetur vetëm pjesa e trasesë. Kjo ka komplikuar jetën e përditshme të banorëve, të cilët tani detyrohen të bëjnë devije prej 7 kilometrash për të dalë në rrugën kryesore.
““Neve na ka bo bukur shumë keq... Më së keqi e kemi punën e nxënësve se janë 15 nxënës të shkollës fillore... duhet me i qit nxënësit diku me bo një zgjidhje por i kisha lut organet me bo diçka.””
Veli Ademi, banor i zonës, shprehet i revoltuar për situatën. Ai thekson se kombi shkollor nuk mund të kalojë më dhe se shpenzimet shtesë janë të mëdha. “Është tepër e vështirë për neve se duhet me i bë plus tre kilometra e gjysëm me shku në urën tjetër”, shton ai, duke ftuar kryetarin e komunës të vizitojë vendin.
Segmenti u asfaltua në korrik 2022 nga kompania “Fer-Petroll”, si pjesë e kontratës për 8 rrugë në periudhë dyvjeçare. Vlera totale e projektit ishte 249 mijë e 955 euro e 70 cent. Kontrata parashikon periudhë garantuese prej dy vitesh, ku kontraktuesi është përgjegjës për defektet nga materiale ose punë të dobët.
Detajet e punimeve tregojnë shtresë asfalti 8 cm dhe zhavorr 20 cm. Për segmentin “Dobroshec – Çikatovë e Vjetër”, vlera ishte 9.984 euro.
““Arsyeja e dëmtimit të asfaltit lidhet me vërshimet e fundit dhe sasinë e jashtëzakonshme të ujit... dëmtimi nuk ka ardhur si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve””
Komuna e Drenasit mohon se dëmi vjen nga cilësi e dobët e punimeve. Endrit Gllareva shpjegon se ka pasur mbikëqyrje teknike dhe se presioni i ujit në pikën më të ngushtë të grykës ka shkaktuar dëmin. Ai premton masa të reja si betonim anash rrugës dhe lëshesa shtesë për të shmangur përsëritjen.
Kompania “Fer-Petroll” nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga TV Dukagjini. Banorët presin ndërhyrje sa më të shpejtë për rikthimin e normalitetit.