Kërcënohet me vdekje gazetari Lirim Mehmetaj, AGK reagon ashpër
Gazetari dhe themeluesi i VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, ka marrë kërcënime me vdekje në Facebook. AGK-ja dënon ashpër dhe kërkon masa urgjente nga policia dhe prokuroria për identifikimin e autorit dhe mbrojtjen e gazetarit.

Kërcënohet me vdekje gazetari Lirim Mehmetaj
Gazetari i pavarur dhe themeluesi i portalit VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, ka raportuar se është kërcënuar me jetë përmes një komenti në Facebook.
Sipas informacioneve të publikuara, komentuesi ka shkruar një mesazh të rëndë: "3 okfira me t'i shprazë n'lulë t'ballit frikë e kie."
“Kërcënim i rëndë me vrasje ndaj gazetarit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit dhe themeluesit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj. Një koment kërcënues në Facebook ndaj tij, mes tjerash, thotë: 3 okfira me t'i shprazë n'lulë t'ballit frikë e kie. AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorisë që të marrin masa urgjente për identifikimin dhe lokalizimin e personit në fjalë dhe ta mbajë përgjegjës për veprën penale të kanosjes. Ky kërcënim kaq serioz vë në rrezik sigurinë fizike të Mehmetajt dhe redaksisë që ai udhëheq, prandaj AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse.”
AGK-ja thekson se ky lloj kërcënimi serioz rrezikon sigurinë e gazetarit dhe e gjithë redaksisë së VOX Kosova.
Incidenti ri nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme ndaj lirisë së shtypit në Kosovë dhe nevojën për veprime të menjëhershme nga autoritetet për të mbrojtur gazetarët në punën e tyre të përditshme.

