Zgjedhje

KQZ shpjegon pse nuk po rinumërohen ende votat në Podujevë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë shpjegime për vonesën në rinumërimin e votave në Podujevë, duke thënë se procesi ka kaluar komunën përkohësisht për të vazhduar në të tjera, por së shpejti do të kthehet.

Nga Admin User
KQZ shpjegon pse nuk po rinumërohen ende votat në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar situatën lidhur me rinumërimin e votave në komunën e Podujevës, ku deri më tani janë rinumëruar vetëm 11 nga 110 vendvotime.

Sipas platformës zyrtare të KQZ-së për rezultatet, ky proces ka mbetur i pandryshuar që para datës 19 janar 2026.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë shpjegimet për Express, duke thënë se rinumërimi i pjesshëm u krye për rreth 10% të vendvotimeve në Podujevë, në përputhje me vendimin e parë të KQZ-së.

“Para datës 19 janar 2026 nga komuna e Podujevës janë rinumëruar rreth 10% e vendvotimeve, në përputhje me vendimin e parë të KQZ-së për rinumërim të pjesshëm. Pas marrjes së vendimit të dytë për rinumërim të plotë në të gjitha vendvotimet, procesi kishte kaluar komunën e Podujevës dhe po zhvillohej në komuna të tjera, sipas renditjes së paraparë”

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së

Elezi ka shtuar se procesi po vazhdon me intensitet të plotë dhe nga pasdita e së mërkurës është vendosur të përfshihen vendvotimet e të gjitha komunave pa u ndaluar te renditja e mëparshme.

“Ky proces po vazhdon me intensitet të plotë dhe deri më tani është zhvilluar sipas renditjes së komunave, por nga pasdita e së mërkurës, me qëllim të përshpejtimit të rinumërimit, është vendosur që të përfshihen vendvotimet e të gjitha komunave dhe jodomosdoshmërisht sipas renditjes. Pra, së shpejti edhe vendvotimet tjera nga kjo komunë dhe nga tjerat do të përfshihen në rinumërim”

Valmir Elezi

Kështu, qytetarët e Podujevës presin që rinumërimi i plotë të nisë së shpejti, në kuadër të procesit të përgjithshëm të verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Kthuni në Faqen e Parë